Bora flokë-flokë
maleve po zbret…
O moj borë e bardhë,
na ardhsh me shëndet!
-Zbrit dhe në qytet!-
fëmijët thërrasin.-
Bjer si pambuk,
se ne po të presim!
Edhe bora erdhi,
nuk vonoi fare,
u ul nëpër sheshe,
ndenji në dritare…
Leta, në oborr,
na ndertoi me borë
një njeri të bardhë,
me një stap në dorë,
me një hundë speci,
me dy sy të zinj…
Ata s’ishin sy,
ishin dy… thëngjinj!
Pa i vu çibuk,
pa i vu kokore,
eh, sa bukur doli
ky njeriu prej bore!
Kur e pa i ati,
tha:
-Të lumtë, Letë!
Ky njeriu që bëre,
duket i vërtetë.
Leta fluturoi,
u bë gjithë gaz
dhe pastaj babait
seç iu ngjit nga pas:
-Hajt ta marrim brenda
që të lozim tok,
do ta kem si vëlla,
do ta kem si shok.
-Po në dhomë, o bijë,
shkrihet pikë-pikë
dhe nga borë e bardhë
s’mbetet asnjë çikë!
Pa na lag qilimin,
na lag dyshemenë…
Dhe ne, përmbi ujë
nuk mund që të flemë.
-Mirë, haj ta futim
në frigorifer.
-Ai është i madh
dhe brenda s’e merr!
-Babi, unë dua
që ta marr në dhomë…
-Prit, moj shpirt i vogël,
do ta rregullojmë.
Babi në shtëpi
Shpejt e shpejt vrapoi,
mori aparatin
e fotografoi.
Dhe fotografinë
në kornizë e vuri…
Ky njeriu prej bore
ja ku rri:
te muri!
Odhise Grillo