Viçi: -Mu! e keci: -Me!
edhe qengji: -Be-be-be!
seç na bëhen bashkë tre…
Thotë qengji:
-Be-be-be,
nga sa këmbë kemi ne?
Gjegjet viçi:
-Mu-mu-mu,
më dëgjoni mua ju:
kafshët anembanë,
katër këmbë kanë!
Ia nis keci:
-Unë e di,
ja sa kemi: një, dy, tri…
Thotë qengji:
Be, be, be,
pse, tri këmbë kemi ne?
Hidhet viçi:
-Mos nxitoni,
mengadalë i numëroni.
Mu-mu-mu, po filloj vetë:
këmbë e parë,
këmbë e dytë,
këmbë e tretë…
-Mu! e Me! e Mu! e Be!
gjithnjë u dilnin tre…
Viçi, qengji, keci tok,
qanë që të tre me lot!
-Mu-mu-mu! e Me-me-me!
Mu-mu-mu! e Be-be-be!
Pse nga tri të kemi ne,
kurse kafshët anembanë
katër këmbë kanë?
Shkoi Agroni aty pari
edhe i pushoi së qari:
-Kaq gjë të vogël s’dini?
Ju nga katër këmbë kini.
Hajt t’i numërojmë bashkë:
një… dy… tri… katër!
Thirri keci:
-Me-me-me,
neve pse na dilnin tre?
-Kec i dashur,
ju të tre,
numëroni gjer më tre,
gjer më katër,
sot për sot,
ju nuk numëroni dot.
Kur të rriteni, do mësoni
dhe më tej të numëroni.
Viçi, keci, qengji tre
nisën qeshën:
-Me-me-me!
-Mu-mu-mu! e
-Be-be-be!
Edhe bashkë me Agronin,
gjer më katër numëronin!
Odhise Grillo