Wednesday, March 30, 2016

Odhise Grillo - Çamçakëzi

 (përrallë në vargje)

Prapa malit u fsheh dimri,
Çeli sytë kudo blerimi.
Tek lejleku zogjtë shkuan,
Për pranverën e uruan.
Dhe lejleku mirë i priti,
E me çfarë s’i gostiti!
Një shëndet për miqtë ngriti!

Një trumcaku kokëzi,
Na i fali një kuti,
Me shirit ngjyrë flori!

Por…ç’na kishte vallë kutia,
Me kapakun vija-vija,
Plot me yje e shkëndija?
Mos na kishte çokollata,
Apo lule nga lofata?
Mos na kishte kikirikë,
Me sheqer edhe me kripë?

Jo, mor, joooo,
Nuk kish të tilla,
S’kishte fruta–ëmbëlsira!
Çamcakëza kish’nja dhjetë,
Sërë-sërë, petë-petë,
Vinin erë manaferrë,
trëndelinë,
luleshqerrë!
Sheqer ishin…
Edhe mjaltë…
Edhe çokollatë bashkë!...
Nuk tregohet se si ishin,
S’thuhet çfarë shije kishin ,
Doni që ta them ndryshe?
ISHIN QUMËSHT DALLËNDYSHE!          

Fluturimin zogu nisi,
Që në re kutinë e grisi.
Çamçakëzat që të dhjetë,
Sërë-sërë, petë-petë,
Në një qoshe na i futi,
Mos t’i gjente gushëkuqi!
Por…harabelit cinxami,
Mendja hiç s’i shkoi tek miu!
Ndaj me gjatë ai nuk priti,
Tak një copëz e çukiti,
Tak një copëz e kafshoi,
Ish’a s’ish’ sa gjysmë thoi,
Ish’ a s’ish por përnjëherë,
T’ëmbëlsonte si sheqer.
Ish a s’ish kur e kafshoje,
Fiuuuuu të shkonte lëng prej goje.

Pasi e lëpiu mirë,
Vonë nëpër errësirë,
Na e mblodhi si një gogël,
Si një rruazë të vogël.
Dhe e fshehu...
S’e di ku?
Vallë mos e dini ju?

Kokëziu u shtri e fjeti,
Por çamçakezin na e gjeti,
Një miushe sa një mace,
Bisht turjele e me mustaqe.
Mblodhi minjtë rreth e qark dhe u tha:
-Ushqim si ky,
S’keni parë kurrë me sy
Ndaj provojeni të gjithë!
Kaq u desh; vrapuan minjtë
E lëpinë dhe e ndukën,
Dhëmbët brisk kudo i futën,
Futën thonjtë anëembanë,
E kudo mikrobe lanë.
Pastaj rendën tërë gaz
Miushja para e minjtë pas
Varg në gjurmët e mamasë...

Kokëziu u ngrit me natë
Çamçakëzin mori prapë
Dhe filloi ta mbllaçiste
Sa u zbut u bë llastik.
Sa e panë zogjtë e tjerë,
E rrethuan menjëherë
Dhe iu lutën:
-Na jep pak!,
Por kokëziu tha:
-S’ju jap!
Desh u zunë shok me shok,
E desh u qukën
Kokë më kokë,
Por një zog me sqep të gjatë,
Iu ngjit pemës më të lartë,
Edhe tha:
-E gjeta vetë,
prandaj rrini krejt të qetë,
Ta lëpijmë pesë herë
Se vjen era manaferrë!

Tha trumcaku:
“Do mendoj, t’i lejoj…
 …mos t’i lejoj”
Një vështrim zogjtë shkëmbyen,
Çamçakëzin ja rrëmbyen.
Kështu gogla shkoi fishek
Në çdo gjuhë e në çdo sqep.
-Më jep mua-më jep mua,
Çamçakëzi u hollua
E u tret e u mbarua…
Ndërsa minjtë hidhnin valle
E këndonin kiu-ciu-miu,
Plasi një shamatë e madhe
Tek shtëpia e kokëziut.
Qanin nëna me babanë.
Kokëziu po rënkonte.
Mor’po qanin anembanë,
Britma der’ në qiell shkonte.

Kishin dhembje zogjtë e vegjël,
-Më djeg fyti! Me pret barku!
Njëri binte prapa derës,
Tjetri binte pym, tek pragu.

Shpejto ngritën telefonat,
Dhe shërbimi ishte gati,
Mjelmat mjeke po vraponin
Si të bënin gara vrapi.
Më pas tyre qukapikët,
Me ilaçe me gjilpëra,
Me barrela dallëndyshet,
Me një frymë që të tërë.

-Si ju ngjau?
Si ju erdhi?
Por trumcaku s’do të flasë,
As pse babi lotët derdhi,
As nga lutjet e mamasë.
Mirëpo s’donin të tregonin
Vetëm Çerri fjalëshumë tha:
-Ju lutem na shpëtoni,
Se si ngjau e them unë!
…dhe tregoi për çamçakëzin që i thoshte
ÇUÇMAKIZ!

Mjelmat mjeke i rrethuan
dhe diçka thanë mënjanë
Zogjtë fare nuk kuptuan asnjë tingull,
asnjë fjalë
sepse mjekët bisedonin jo si shpendë 
me cicërima
fjalët e tyre ngjasonin
me ngërdheshje, fishkëllima.

Si zbuluan të vërtetën
Shkuan drejt në barnatore,
Dhe thëllëza zjeu ca gjethe
Beri barna popullore.

Pi  ilaçe-bëj pastrim
Lyej gojën me lëng arre!
Të gjithë zogjtë në agim
Na u gdhinë qiqër fare.

Dhe të thonë që të gjithë
-Më gabim nuk bëjmë prapë
Sepse s’duam që natë e ditë
Ta kalojmë n’OTURAK!

Odhise Grillo