Keta ka një kukull,
që e quajnë Flutur.
Lozin që të dyja,
një “nëna”,
një “bija”.
Leta, si një nënë,
zë i këndon këngë,
i jep edhe ha,
në prehër e mban,
e mëson të vishet,
të lahet,
të krihet,
të bëhet punëtore,
vajzë shembullore!
Flutura njëherë
nuk deshi të flerë,
këmbët i përplasi,
qau gjersa plasi,
tundi tërë shkallën,
zgjoi gjithë mëhallën!
Keta e qortoi,
por ajo s’dëgjoi.
Kështu, deshi, s’deshi,
Fluturën e veshi
dhe, për ta pushuar,
e mori në duar,
doli me të bashkë
edhe e la jashtë.
Keta brenda shkoi,
Fshiu e pastroi…
Porsa mbeti vetëm,
Flutura desh’ Ketën,
thirri, e kërkoi,
rrugën ngatërroi
edhe zu të qajë…
Kur aty, një djalë,
frenoi menjëherë,
plot zhurmë e poterë.
Nga vetura doli,
Fluturës i foli:
-Pse po qan, moj kukull?
-Se rrugën kam humbur…
-Po hip në taksi,
bashkë, që të dy,
e gjejmë kollaj,
hesht tani,
mos qaj.
***
Punët si mbaroi,
Keta shpejt vrapoi
kukullën të merrte
dhe ta përkëdhelte.
E kërkoi më kot,
Nuk e gjeti dot!
Thirrri me fuqi,
s’iu përgjigj njeri.
E kërkoi në rrugë,
s’gjeti asnjë gjurmë.
Pyeti anembanë,
“Nuk e dimë!” –i thanë.
Ku të kishte shkuar?
Mos ish zemëruar
edhe në të mugët
kishte marrë rrugët?
Keta nisi vrapin,
naa! –e bënte hapin!
S’ndalej, vetëm ecte
dhe pse kishte etje.
Rendte porsi flutur.
dhe pse ish këputur.
Ujë e kishte ballin,
fushë e bënte… malin!
Linte pas veturat,
kapërcente urat,
rrugët kapërcente,
Fluturën të gjente.
Kur ja, krejt papritur,
ngeli e habitur!
Në taksi pa kukullën,
vetë dora, Fluturën.
Fët! nxori shaminë
dhe ndaloi taksinë.
E nxehur sa s’ka,
shoferit i tha:
-Pse ma more Fluturën?
-Cilën Flutur?
-Kukullën!
-Sepse vetëm ishte,
qante e thërriste…
-Unë vetë e lashë,
të shikonte jashtë,
rrugët e vitrinat,
sheshet e makinat,
jo ta merrje ti
xhiro me taksi!
-Ç’xhiro, o moj Ketë?
Ne, në të vërtetë,
brodhëm me makinë
të gjenim shtëpinë,
po u lodhëm kot,
nuk e gjetëm dot.
Dhe shoferi qeshi,
Sa i deshi qejfi…
Keta tha:
-Tani,
të kthehem, nuk di,
prandaj na ndihmo,
në shtëpi na ço.
Ecën një makinë,
çan si vetëtimë,
sa të thuash “tri”,
mbërritën në shtëpi.
Zbritën që të dyja,
“nëna” dhe “e bija”,
i thanë shoferit:
-Të faleminderit!
Odhise Grillo