Sunday, March 6, 2016

Odhise Grillo - Valbona blen ylberin…


Po loznin një ditë
Bona dhe Jeta,
lojtën me arinj
dhe me biçikleta,

pastaj nisën lodrën:
“Në dyqanet tona”
shitëse u bë Jeta,
blerëse Valbona.

-Urdhëroni shoqe,
i kemi të lira,
i kemi të forta,
i kemi të mira.

Çfarë do të bleni?
Çfarë dëshironi?
Ka bluza mëndafshi,
çorape najloni,

ka këpucë e triko,
ka edhe fustanë,
i kanë prodhuar
punëtorët tanë!

-Unë dua të blej
hënën, o moj motër…

-Hëna s’është ushqim,
hëna s’është lodër!

-S’e dua ta ha,
s’e dua për lojë,
po që kufitarëve
vendin t’ua ndriçoj,
sepse natë e ditë
rrinë në kufi
edhe po na mbrojnë
vendin ne tani!

-Mirë, moj Valbona,
se e mora vesh…
Tok me hënën, duhet
ca qershi të blesh.

-Nuk dua qershi,
dua të blej retë,
që të bjerë shi,
kur të jetë nxehtë,

edhe të na bëhet
gruri porsi det,
të gatuajmë bukë,
ta hamë me shëndet!

-Mirë, atëherë blej
karamele “Zana”,
çokollata “Flora”,
ose kek “Tirana”…

-Jo, do të blej erën,
do ta mbyll me dry,
të mos ketë furtunë,
të mos ketë stuhi.
Kur të vijë vera,
do ta nxjerr çdo ditë,
të fryjë puhizë
dhe të na flladitë…

-Mirë, po për vete,
nuk do marrësh gjë?
-Do të blej ylberin,
fjongo do ta vë!

-Po ku do t’i gjesh
gjithë keta lekë,
që do blesh ylberin,
hënën, erën, retë?

-Në qoftë se lekët
nuk do të më dalin,
ti je shoqe e mirë,
mua do m’i falësh,

se çdo gjë e dua
për të mirën tonë…

-T’i fal me gjithë zemër,
të lumtë, Valbonë!

Odhise Grillo