Saturday, March 5, 2016

Odhise Grillo - Baballarët, Gjuearët…



Haheshin njëherë
dy çupka të mira,
dy katërvjeçare,
Moza edhe Mira.

Mira i thosh Mozës:
-Babi çifte ka,
merr zagarin pas
edhe del për gjah.

Njëherë në pyll
pa dhelprën bishtkuqe,
bam! –ia dha me çifte
dhe “kokëdalluqe!”

-U, kjo s’është asgjë,
babai im, ja, sot,
vrau përnjëherësh
pesë dhelpra tok!

-Kjo që po më thua,
botën do habitë…
Veç një lepur vrau
babi im, një ditë.

-Një… s’është asgjë fare,
sikur ha një petull!
Babi im njëherë
trak! dhe dhjetë lepuj!

-Dhjetë lepuj tok,
si mund t’i ketë vrarë?
-Njëherë tjetër vrau
dy arinj të bardhë!

-Babi im ka vrarë
vetëm një çakall…
Naaa! i kishte dhëmbët,
tamam si çatall.

-Babi im, kur pa
tre ujq qimezes,
shtiu veç një herë
dhe ujqit… “në thes!”

-Tre ujq bashkë vrau?!
Ç’janë ato që thua!
Më duket, o Moza,
po tallesh me mua…

Thuaj të vërtetën
edhe mos shit mend!
-Babi ka një pushkë
që të lë në vend!

Dhe ka vrarë plot
ujq, arinj e dhelpra,
lepuj e kaproj,
tigra edhe ketra.

-Po si është e mundur
kaq të ketë vrar’,
ai nuk ka çifte,
s’është as gjuetar!

-Të them të vërtetën,
Mira, më beso,
po nuk t’u mbush mendja,
eja i shiko.

Eh, sa shumë janë,
s’numërohen dot,
ne shtëpinë e kemi
egërsira plot.

-Si keni kaq shumë?
-I vret babi: trak!
jo me pushkë e çifte,
po me aparat!

Gjuan babi im
pa çifte,
pa plumb,
kafshë e shpendë vret,
i fut në… album!

-Ah, po kështu thuaj!
E gjeta tani…
Ju i keni kafshët
në fotografi! 

Odhise Grillo