1
2
3
Blerta mbi fletore
rri edhe mendon…
Me kalem e bojëra
nis e vizaton:
Në fillim dy mollë
edhe dy qershi,
një kalem të hollë
edhe një kuti.
Vizaton pastaj
pastër, në fletore:
fluturën
krahëshkruar,
bletën punëtore.
Nëna dhe babai
na e pyesin:
-Blertë,
çfarë vizatove
përmbi atë fletë?
-Vizatova veten,
a nuk e shikoni?
Ju jeni të rritur,
si nuk e kuptoni?
-Po ç’ke
ngatërruar,
bletë edhe qershi,
flutur e kalem,
mollë dhe kuti?
-Jo asgjë, asgjë
nuk kam ngatërruar,
në fletore veten
unë kam vizatuar!
Po habitet nëna,
babi bën çudi…
-Ti nuk je kalem,
ti nuk je kuti!
Mollë edhe qershi
ti nuk je, moj
Blertë,
pastaj këtu ç’duan
një flutur,
një bletë?
-Jua thotë gjyshja,
pritni kur të vijë…
-Kur s’e dimë ne,
gjyshja s’mund ta
dijë!
-Jo, e di, e di!
Gjyshe moj, vrapo,
se ç’kam vizatuar,
eja na trego.
Ja ku erdhi
gjyshja,
Vizatimin pa…
-Kjo këtu është
Blerta!-
prindërve u tha.
Se, kur afron mbrëmja
edhe do të flerë,
i kendoj një këngë,
që gjumi ta zerë.
Gjumi mbi qepalla
vete edhe vjen,
unë, një këngë,
mbesës
nis edhe i them:
“I ke faqet mollë,
sytë si qershi,
hundën si kalem,
gojën si kuti”.
Pa i them: “Je
bletë”,
pa i them: “Je
flutur”,
se është punëtore,
sepse është e
bukur.
Pra, në vizatim
është vetë Blerta,
veçse ka harruar
të bëjë… gërshetat!
Odhise Grillo