Friday, February 12, 2016

Mark Krasniqi - Përtaci


Një njeri përtac
s’punonte aspak.
Puna më e vogël
i bëhej farmak.

Një herë s’kish ushqim,
bukë s’i jepnin tjetër,
shkoi pra në fushë,
te një dardhë e vjetër.

Dardha kishte kokrra,
të mëdha gërcak,
të ëmbla sheqer,
pjekur për merak.

Po përtaci ishte
njeri për çudi:
përtoi t’i shkundte,
në hije u shtri.

Hoqi dhe kapelën,
pranë vetes e la,
“ Bini këtu brenda,
o ju dardha!” – tha.

Priste kokrra dardhe
nga degët e saja,
kur një dardhë e madhe
u shkëput nga maja
dhe përtacit tonë
në hundë i ra,
thirri fort përtaci:
“ Obobo, ç’hata!”.

Mark Krasniqi