Monday, February 15, 2016

Odhise Grillo - Ishte mi i vizatuar



Zana, në shtëpi,
paska një kuti,
plot me kuba mbushur,
të gjithë të bukur.

Eh, sa shumë janë!
Ç’vizatime kanë!
Plot me lepuj, tigra,
pemë, lule, libra,
dhelpra edhe zogj…
S’numërohen dot!

Me kubat në radhë,
porsi në përrallë,
mund që të ndërtosh
çfarë të dëshirosh.

Zana kubat vë
edhe nis e ngre
një goxha pallat,
dymbëdhjetë kat,
me dyer, ballkone,
dhoma e sallone,
me tarracë e shkallë…
Një pallat të rrallë!

Në një mur,
në mes,
Zana me kujdes,
kubat ka bashkuar
edhe ka formuar
një mi,
sa një mace,
me bisht
e … mustaqe!

Ky miu, në mur,
të duket sikur
miut të vërtet’
mu tamam i ngjet.

Nga derë e kuzhinës,
tinës edhe tinës,
vjen maçoku, hyn,
buzët po lëpin…

Dhe sa Zana ikën,
në qosh e zë pritën,
sytë rreth i hedh,
putrat seç mbledh.

Qimet lart i ngrihen,
gjunjët pak i thyhen,
kokën nis e zgjat,
trupin e bën hark!

Miun e gozhdon,
befas e sulmon,
hidhet përmbi të…
…………………...
Hej, se ç’zhurmë u bë!
Se gjithë ky pallat,
dymbëdhjetë kat,
që s’kish shok të dytë,
sa hap e mbyll sytë
u shtri krejt përtokë,
u bë copë-copë.
Kubat u shpërndanë,
në dhomë anembanë,
maçoku ia mbathi,
kushedi nga vajti!

Zana, sa e pa,
maçokut i tha:

Ah, more maçok,
në të zënça dot,
qejfin do ta ndreq…
Hy, ç’maçok i keq!
Kaq gjë nuk di?
ti je dhe i zgjuar,
vërtet ishte mi,
por… i vizatuar!

Odhise Grillo