1
2
3
4
Tri “L-të” Ç’janë?
1.
Fëmijët pyesin,
fëmijët thonë:
-Tri “L-të” ç’janë?
Se s’i kuptojmë.
Se ç’janë ato,
vesh do ta marrim,
po ndoqëm pas
xhaxhi shkrimtarin…
2.
Gjyshi i Letës
Mori një shqopë
edhe në të
çeli një gropë,
bëri një bisht,
pastaj ca vija…
Çfarë po bënin
duart e tija?
Një lugë druri
gjyshi po bënte,
po e lëmonte
dhe po e gdhendte.
Me një biçak,
me një gjilpërë,
punoi mbi të
një ditë të tërë.
Dhe doli luga
e mirë,
e bukur,
si bri e kthyer,
me lule mbushur.
Kish një bilbil
luga në fund…
Si lugë e Letës
s’gjendet kurrkund.
Luga e saj
di shumë këngë,
shërben pastaj
dhe për të ngrënë.
Nuk ka në botë
lugë si kjo,
ndaj Letë e vogël
kaq shumë e do.
Me të ha drekën,
me të mëngjesin,
me të ha supën,
me të përsheshin…
3.
Kaluan muaj
edhe një ditë,
një kushërirë
na erdh’ vizitë.
E priti Leta
Lindën plot gaz…
Po pritni,
shihni
ç’ndodhi më pas.
Linda dhe Leta
si motra janë,
nga katër vjet
besoj s’i kanë.
Sa shumë duhen
Linda dhe Leta!
Shpirt e ka njëra
dhe zemër tjetra.
Linda në drekë
syrin ia vuri
Letës, që hante
me lugë druri.
Dhe thirri fort,
lugën kur pa:
-Me këtë lugë
vetë do ha.
Lugën si bri
ma jep, o Letë!
Leta sa s’qau
me lot të nxehtë,
Edhe për lugën
seç na u zunë:
-Pse të hash ti,
do të ha unë!
-Nuk është jotja,
po është imja!
Tamam si tra
na u bë… qimja.
Deri në mbrëmje
kështu vazhduan,
seç na u grindën,
u zemëruan.
Dhe iku Linda,
pushoi grindja,
s’kishte më
“jotja”,
s’kishte më “imja!”
Mirëpo Leta
na mbeti vetëm
edhe pa Lindën
u mërzit tepër,
ndaj i tha nënës:
-Sa jam penduar!
Me Lindën kot
jam zemëruar.
Ç’e dua lugën,
kur Lindën s’kam,
të vijë prapë,
se e kam xhan!
Dhe Linda erdhi
e nisi lodra,
Linda me Letën
shkojnë si motra.
Ç’i thotë Lindës,
mbani vesh Letën:
-Ta fala lugën
për gjithë jetën!
4.
Ja ku na erdhi
fundi tani,
pra, le të bëjmë
pak llogari:
Leta dhe Linda,
Luga si bri,
sa “L” na bëjnë?
Më duket… tri!
Odhise Grillo