Doli dielli, hyri hëna...
- Çohu, kecush! - i thotë nëna.
- Çohu, gjumash! - i thotë babi.
Keci s'tundet nga krevati.
Ora për shkollë afrohet,
keci nis edhe ankohet:
- O, lele, po më dhemb gishti,
më dhemb veshi, më dhemb... bishti!
Nëna dhi, e shqetësuar,
mjeke Shytën ka njoftuar.
erdhi mjekja, djersë e tëra,
me ilaçe, me gjilpëra.
Pas vizitës, mjekja tha:
- Kec larushi dhembje s'ka,
një sëmundje tjetër del,
me sa duket, ësht’ dembel.
U nxeh cjapi mjekërhollë:
- Shpejt, dembel, nisu në shkollë!
Nisi keci prap ankimet:
- Si të shkoj, s'kam bër’ mësimet!
Ju s'e dini se ç'pësoi,
që mësimet s'i mësoi.
Unë e di, në dëshironi,
ktheni fletën ta mësoni...
Dje, si hëngri drekën,
edhe ëmbëlsirën,
na u mbyll në dhomë
të bënte detyrën.
Penën shpejt e kapi,
fletoren e hapi,
hapi Abetaren,
çeli dhe dritaren.
Dorën mbi fletore,
sytë mbi dritare,
Ç’ka kështu ky keci,
s’i mësohet fare!
Ndoshta s'i mësohet
se erdhi pranvera,
pa i ikën mendja
në kodra me ferra.
Ngaqë nuk i rrihej,
detyrën sa nisi,
i bëri dy njolla,
dy faqe i grisi...
Ja, përtej dritares,
ulur mbi një tel,
na paska qëndruar
një zog harabel.
Sa e pa, kecushit
i qeshi fytyra:
"Do vë harabelin
të më bëj’ detyrat".
- Hyrë brenda,
pse rri jashtë?
Kam dëshirë
të lozim bashkë.
-Ci-ci-ci,
ti e di,
s'mund të lozim
ne tani;
ule kokën,
lexo, shkruaj,
bëj mësimet,
pastaj luajm'!
- Harabel-o,
ci–ci-ci,
a m’i bën
detyrat ti?
Harabeli
u zemrua:
- S'të vjen turp,
kështu ç’më thua?!
Rrahu krahët
u largua...
Nën dritare
shkon një viç.
- Viç, o viç,
mu–mu-mu,
eja lozim
tok këtu!
- Kec i vogël,
ti e di,
s'mund të lozim
ne tani;
ule kokën,
lexo, shkruaj,
bëj mësimet,
pastaj luajm'!
- O viçok,
të kam shok,
a m'i bën
detyrat sot?
Edhe viçi
u zemrua:
- S'të vjen turp,
kështu ç'më thua?!
Nxitoi këmbët,
u largua...
Në oborr,
mbi një shul,
qenka ulur
gjyshja pulë.
I thot’ keci
pulës-gjyshe:
- Fute këmbën
pak në shishe...
- Ka–ka-ka,
ç'janë këto?!
Shumë poshtë
veten e ule,
pranon shkrim
me këmbë pule?
- Nëse s'shkruan
dot me këmbë,
zgjate sqepin,
shkul një pendë;
shkul një pendë
nga më të mirat
edhe shpejt
më bëj detyrat!
Gjyshe pula
u zemrua:
- S'të vjen turp,
kështu ç'më thua?!
Kot po lutesh,
o kecush,
detyrat
s'ti bën askush!...
Erdhi mbrëmja
pa kuptuar,
keci ngeli
pa mësuar.
Pasi priti,
priti shumë,
hëngri darkën,
ra për gjumë.
- Tak - tak - tak!-
dera troket,
mendon keci:
"Kush të jetë?!"
- Jam postieri,
hape shpejt,
sjell një zarf
me tri vula:
"Harabeli",
"Viçi", "Pula".
Keci zarfin
shpejt e mori,
mua letrën
nuk ma nxori;
unë prita,
u vonova,
po dot letrën
s'e lexova.
Ende nuk e kam mësuar...
....
Kush e di...
Çfarë i kanë shkruar?!
Tasim Gjokutaj