Tuesday, February 9, 2016

Odhise Grillo - Me Bardhoshin Fle Rehat… (e ilustruar)



1.
Jeta e vogël,
çdo mëngjes,
plot me lot
ka sytë e zes.

Qan e çirret
Me oiii:
-Më ndjek pas
një qen i zi.

Për çdo natë
më vjen tinës,
do të më hajë
prapa shpinës,

Unë vrapoj,
ai vrapon,
më kap këmbën
ma kafshon…

Nëna Jetën
merr në grykë
dhe i thotë:
-Mos ki frikë,

se është ëndërr
shpirt, o Jetë,
s’të kafshon
me të vërtetë.

Mos u tremb
moj pëllumbeshë,
të ka nëna
trimëreshë!

Jeta qan
e lot lëshon:
-Më kafshon, moj,
më kafshon.




2.
Jeta ka
ditëlindjen sot…
Njëqind vjeç
u bëftë plot!


Erdhën gjyshi,
halla, daja,
mor po erdhi
gjithë mëhalla.

Seç i sollën
plot dhurata,
lodra, pemë,
çokollata…

Sollën dhe
një qen të bukur…
Jo të gjallë,
po qen kukull!

Leshëtor
edhe bardhosh,
ta ka ënda
ta shikosh.

Jeta e vogël,
q’atë natë,
fle me Bardhin
tok në shtrat.

Kur Zioshi
vjen vërdallë,
i lëshon
qenin e bardhë.

Turret Bardhi
si shigjeta,
i zgjat putrat,
i nxjerr kthetrat.

Turret Bardhi
me yrysh
dhe nxjerr dhëmbët
si fildish.

Seç ia mbath
me vrap Zioshi,
sepse trembet
nga Bardhoshi.

Edhe ik
me të katra
kokën hiç
nuk e kthen prapa!

Ik i ziu
me bisht në shalë,
i shkon djersa
palë-palë!

Kështu Jeta
fle rehat,
me Bardhoshin
tok në shtrat.

Odhise Grillo