1.
Dy motra seç na ishin,
të bukura,
të mira,
e para quhej Lira,
e dyta quhej Mira.
Të dyja flokëverdha,
të dyja fjalëpaka,
të dyja punëtore,
të dyja duararta.
Së bashku loznin, qeshnin,
së bashku flinin, hanin,
gëzimet dhe qortimet
dy motrat tok i ndanin.
Binjake kishin lindur
kjo Lira dhe kjo Mira,
ndaj ngjitnin kaq shumë,
nga zemra dhe fytyra.
Po nuk ndryshonin fare?
Ndryshonin pak,
një çikë…
Në mes të faqes Lira,
na kishte veç një… pikë.
Një pikë bojëkafe
një pikë sa një… grurë.
Gëzime dhe qortime
kjo pika u kish prurë.
2.
Porsi dy pika ujë
binjaket na ngjasonin,
veç ishte pikë e Lirës
që nuk i ngatërronin.
Njëherë gaboi Mira:
në kopsht na ishte futur
dhe lule ngjyra-ngjyra
pa leje kish këputur.
Vrapuan shokë e shoqe
që Mirën ta qortonin,
në rrugë e në shtëpi
dy Mira na takonin!
Se kur dëgjoi Lira
për motrën që gaboi,
me krem dhe me pudër
nishanin e mbuloi.
Mamaja dhe babai
na rrinin të menduar…
Po cila është Mira
që sot paska gabuar?
- T’i lajmë, - tha
mamaja,-
një unë edhe një
ti!
Dy motrat kokat ulën
dhe qanë katër sy…
3.
E lavdëruan Lirën,
se rregull kudo
mban…
Po cila është Lira?
Binjakja me nishan!
Të gjithë na
vrapuan,
se donin ta uronin,
në rrugë e në shtëpi
dy Lira na takonin…
Se Lira, me kalem,
si shenja që kish
vetë,
një pikë i bëri Mirës,
një pikë të vërtetë!
Mamaja dhe babai
na rrinin të
menduar…
Po cila është Lira
që duhet lavdëruar?
-T’i lajmë,- tha
mamaja, -
një unë edhe një
ti!
Dy motrat kokat
ngritën
dhe qeshën katër
sy…
4.
Dy motra seç na
ishin,
të bukura,
të mira,
e para quhej Lira,
e dyta quhej Mira.
Së bashku loznin,
qeshnin,
së bashku flinin,
hanin,
gëzimet dhe
qortimet
dy motrat tok i
ndanin.
I ndanin dhe me
babin,
i ndanin dhe me
nënën.
Në zemër kishin
diellin,
në ballë kishin
hënën!
Odhise Grillo